
Protesta e 94-të kundër qeverisë së Edi Ramës është shoqëruar mbrëmjen e sotme me tensione dhe përplasje para Kryeministrisë.
Pas përplasjes së protestuesve me kordonin policor të vendosur përpara godinës, efektivët e Policisë së Shtetit kanë nisur shoqërimet. Deri tani raportohet se 10 persona janë shoqëruar.
Pas shoqërimeve, një grup protestuesish është zhvendosur drejt Komisariatit nr. 3 dhe 1, ku kanë kërkuar lirimin e personave të shoqëruar.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë bllokuar të dyja hyrjet e Kryeministrisë dhe kanë kërkuar që kryeministri Edi Rama të dalë përballë tyre. “Dorëheqje!” dhe “Ju erdhi fundi!” kanë qenë disa prej thirrjeve të tyre.
Përshkallëzimi i protestës vjen pas paralajmërimeve të bëra një ditë më parë për nisjen e mosbindjes civile gjatë muajit shtator.
Ndërkohë, forca të shumta policie vijojnë të jenë të dislokuara pranë Kryeministrisë, ndërsa efektivët po mbajnë nën kontroll situatën dhe perimetrin e sigurisë së godinës./Versus.al


