AKTUALITET /

2 qytetarë humbën jetën nga rryma elektrike, banorët e Vaut të Dejës në protestë: Spitali inekzistent, s'ka shërbime!

Në mesin e protestuesve ishte edhe motra e Sokol Prekës, e cila kërkoi drejtësi për dy viktimat dhe denoncoi mungesën e një shërbimi shëndetësor efektiv në zonë

Shkruar nga Versus

2 qytetarë humbën jetën nga rryma elektrike, banorët e Vaut

Banorët e Vaut të Dejës kanë protestuar këtë të martë pranë qendrës shëndetësore, pas vdekjes së dy personave në fshatin Karmë, të cilët humbën jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.

Ngjarja i mori jetën 46-vjeçarit David Deda dhe 40-vjeçarit Sokol Preka. Sipas të dhënave paraprake, Deda, i cili punonte si elektricist, dhe Preka, pronar i një lokali, u goditën nga energjia elektrike brenda ambienteve të biznesit.

Pas ngjarjes, banorët dolën në protestë duke kërkuar përgjegjësi për mënyrën e reagimit të shërbimeve shëndetësore. Ata pretendojnë se ambulanca ka mbërritur rreth 90 minuta pas marrjes së njoftimit.

Në mesin e protestuesve ishte edhe motra e Sokol Prekës, e cila kërkoi drejtësi për dy viktimat dhe denoncoi mungesën, sipas saj, të një shërbimi shëndetësor efektiv në zonë.

“Dolën për të pirë kafe dhe dolën të vdekur. Spitali i Vaut të Dejës nuk ekziston, nuk ka ndihmë e asgjë. Duam drejtësi për djemtë që vdiqën atje. Shkuan për një kafe dhe nuk na u kthyen më”, deklaroi ajo.

Protestës iu bashkua edhe deputeti demokrat Kliti Hoti, në mbështetje të kërkesave të banorëve.

Protestuesit kërkojnë që të hetohen rrethanat e plota të ngjarjes, veçanërisht koha e mbërritjes së ambulancës dhe ndërhyrja e shërbimeve mjekësore. Pretendimet për vonesën pritet të verifikohen nga autoritetet, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë./Versus.al

 

Poll