AKTUALITET /

5 vatra zjarri mbeten aktive, Ministria e Mbrojtjes: 319 forca operacionale dhe 24 mjete zjarrfikëse në terren

Vatra më problematike mbetet ajo në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës

Shkruar nga Versus

5 vatra zjarri mbeten aktive, Ministria e Mbrojtjes: 319 forca operacionale dhe

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë nën monitorim, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, janë raportuar 31 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive dhe 5 të tjera mbahen nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës në terren janë angazhuar 319 forca operacionale dhe 24 mjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë vënë në dispozicion 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatra më problematike mbetet ajo në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës. Zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa operacioni po zhvillohet me 15 forca zjarrfikëse, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë të FA-së. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Dibër vijojnë aktive zjarret në Vajkal, Lundër dhe Ballenjë. Në Sllatinë, zjarri është izoluar dhe zona po mbahet nën monitorim. Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Lundër pritet ndërhyrja e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në zonën Bershi–Kurdari–Patinë, në bashkinë Klos, janë aktive dy vatra zjarri që kanë përfshirë rreth 4 hektarë sipërfaqe.

Në Vithkuq të Korçës, situata në “Qafën e Lugut” raportohet nën kontroll dhe zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje. Edhe në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit në Elbasan, vatrat e zjarrit po monitorohen dhe nuk raportohet rrezik për banesat.

Në qarkun Durrës, zjarri në fshatin Zallë të Fushë-Krujës është shuar plotësisht, pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Ministria e Mbrojtjes njofton se vatrat e tjera të raportuara në qarqet Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë, Vlorë dhe Korçë janë shuar ose nuk paraqesin rrezik.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me strukturat vendore, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

 

 

Poll