
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur fshatin Golem të Shkodrës mesditën e sotme, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën dhe një tjetër person ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, kur një automjet që drejtohej nga një 50-vjeçar me inicialet A. M. u përplas me një motomjet ku udhëtonin dy persona.
Si pasojë e përplasjes, 17-vjeçari ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Ndërkohë, 28-vjeçari E. N. ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po merr trajtim mjekësor.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici për veprimet procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar dinamikën e aksidentit dhe shkaqet që çuan në përplasjen me pasojë vdekjen e të riut.

