
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Mbrojtja e Veliajt ka kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se ai nuk ka qenë shkak për shtyrjen e seancave gjyqësore. Sipas avokatëve, në njërën prej seancave ka munguar avokati Maksim Haxhia, i cili mbron Ajola Xoxën, ndërsa në një tjetër nuk ka qenë i pranishëm mbrojtësi i njërit prej të pandehurve.
Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Mbrojtja ka paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë.
Në dy seancat ku është shqyrtuar kjo çështje, Erion Veliaj nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, por është përfaqësuar nga avokati Plarent Ndreca.

