AKTUALITET /

Apeli i GJKKO-së mban "derën" hapur për mediat, nuk zbaton kufizimet e reja

Këtë të mërkurë, gazetarët janë lejuar të hyjnë në ambientet e Apelit me telefonat celularë

Shkruar nga Versus

Apeli i GJKKO-së mban "derën" hapur për mediat, nuk

Ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka nisur zbatimin e rregullores së re që kufizon aksesin e medias në ambientet dhe seancat gjyqësore, Apeli i GJKKO-së ka vendosur të vijojë me rregullat ekzistuese të transparencës.

Këtë të mërkurë, gazetarët janë lejuar të hyjnë në ambientet e Apelit me telefonat celularë. Pajisjet do të mund të përdoren edhe gjatë seancave gjyqësore, ndryshe nga rregullat e vendosura në Shkallën e Parë.

Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani, u ka komunikuar gazetarëve se rregullat e transparencës në këtë gjykatë nuk do të ndryshojnë dhe se rregullorja e re e GJKKO-së nuk do të aplikohet nga Apeli.

“Rregullat e transparencës tek ne nuk ndryshojnë. Nëse ju pengojnë të qëndroni në hollin tonë, më vini në dijeni”, u shpreh Dollani.

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë ka shkaktuar reagime nga shoqatat e gazetarëve, të cilat e kanë kundërshtuar për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj medias. Mes masave të reja është ndalimi i përdorimit të telefonave, regjistruesve dhe kamerave brenda sallave të gjyqit.

Ndërkohë, çështja është vënë në vëmendjen e OSBE-së, e cila ka deklaruar se po e ndjek nga afër situatën.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë të ditur se është në komunikim me Gjykatën e Posaçme dhe po konsultohet edhe me palë të tjera të interesuara lidhur me rregulloren e re dhe respektimin e parimit të transparencës së proceseve gjyqësore./Versus.al

Poll