AKTUALITET /

Arrihet konsensusi mes partive politike në Kosovë. Diplomati Bekim Sejdiu, kandidat për president: Jam në shërbim të qytetarëve!

Lajmi është bërë i ditur nga Abdixhiku, i cili tha se negociatat mes dy subjekteve kanë nisur më 9 korrik dhe kanë vijuar për disa javë, me fokus stabilitetin institucional të vendit.

Shkruar nga Versus

Arrihet konsensusi mes partive politike në Kosovë. Diplomati Bekim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë arritur marrëveshje për kandidatin për postin e Presidentit të Kosovës.

Palët janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut, i cili pritet të jetë kandidati për kreun e shtetit.

Lajmi është bërë i ditur nga Abdixhiku, i cili tha se negociatat mes dy subjekteve kanë nisur më 9 korrik dhe kanë vijuar për disa javë, me fokus stabilitetin institucional të vendit.

Abdixhiku deklaroi se bisedimet nuk kanë qenë të lehta, por i cilësoi ato si diskutime të thelluara dhe shteruese, duke theksuar se të dyja palët kanë pasur vullnetin për të gjetur një zgjidhje dhe për t’i hapur rrugë funksionimit të institucioneve.

“Ne kemi qenë të vendosur për të gjetur zgjidhje për të ecur përpara”, është shprehur Abdixhiku.

Sipas marrëveshjes së arritur, emri i Bekim Sejdiut do të jetë në qendër të procesit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Bekim Sejdiu ka konfirmuar se ka pranuar propozimin për të kandiduar për president të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur pajtueshmëri për emrin e tij.

“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike.

Duke qenë i vetëdijshëm edhe për barrën edhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, tha Sejdiu në një deklaratë për mediat.”, ka thënë ai.

Kush është Bekim Sejdiu?

Bekim Sejdiu është diplomat karriere dhe jurist, me përvojë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë.

Ai ka shërbyer edhe si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke pasur një eksperiencë të rëndësishme në fushën juridike dhe institucionale.

Në karrierën diplomatike, Sejdiu ka shërbyer si konsull në Ankara gjatë periudhës 2008–2012, në kuadër të angazhimeve të tij në shërbimin diplomatik./Versus.al

Poll