
Detaje të reja dalin nga dëshmia e 18-vjeçarit Genti Nela, i cili ka rrëfyer para hetuesve për përplasjen e dhunshme të ndodhur në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit.
Nela ka deklaruar se kishte nisur punë si banakier në hotel më 10 korrik dhe se për punësimin kishte biseduar me Florian dhe Arbër Habilajn.
Sipas dëshmisë së tij, më 27 gusht ai ka kërkuar pagën, pasi kishte vendosur të largohej nga puna për të nisur një punë tjetër. Por, sipas 18-vjeçarit, largimi i tij nuk është pranuar nga personat që ndodheshin aty.
Nela tregon se në ambientet e hotelit ndodheshin Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha.
“Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë. Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në fytyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha”, ka deklaruar ai.
18-vjeçari pretendon se katër personat i kanë bllokuar rrugën dhe kanë vijuar ta godasin, ndërsa gjatë konfliktit e kanë kërcënuar vazhdimisht me vrasje.
“Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin”, ka rrëfyer Nela.
Sipas tij, duke u ndjerë i rrezikuar, ka reaguar për t’u mbrojtur.
“Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre”, ka thënë 18-vjeçari.
Pas përplasjes, Nela deklaron se ka mundur të largohet me vrap, por sipas tij, katër personat e kanë ndjekur dhe i kanë bllokuar sërish rrugën.
“Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish”, ka deklaruar ai.
Dëshmia e 18-vjeçarit është pjesë e materialeve të hetimit për ngjarjen, ndërsa rrethanat e plota dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë pritet të përcaktohen nga organet e drejtësisë./Versus.al

