AKTUALITET /

Erion Veliaj rikthehet në krye të Bashkisë së Tiranës. Komandon Alban Dokushin Sekretar të Përgjithshëm dhe firmos nga burgu pagat e administratës!

 Avokati i tij, Plarent Ndreca, konfirmoi se Veliaj nuk do të komandojë një tjetër emër për kompetencat që ka si i zgjedhur

Shkruar nga Versus

Erion Veliaj rikthehet në krye të Bashkisë së Tiranës.

Pas shkarkimit të Anuela Rustanit me firmën e Erion Veliajt nga burgu, sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Eldi Hoxha, ka paraqitur dorëheqjen e tij

Largimi i Eldi Hoxhës vjen menjëherë pas ndryshimeve të marra nga kryebashkiaku Erion Veliaj i arrestuar prej 8 shkurtit 2025, dhe i akuzuar nga SPAK për 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Pas dorëheqjes së Hoxhës, Veliaj ka komanduar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushin.

 Avokati i tij, Plarent Ndreca, konfirmoi se Veliaj nuk do të komandojë një tjetër emër për kompetencat që ka si i zgjedhur.

“Do ta ushtrojë me të gjitha mundësitë që ka dhe i krijohen. Vullneti i tij është i palëkundur për të ushtruar mandatin që qytetarët i kanë besuar, me çdo mjet e mundësi”.

Përfaqësuesi ligjor i Veliajt zhvilloi takime me përfaqësues të Bashkisë për t’u njohur me çështjet urgjente që kanë nevojë për ndërhyrje, sidomos sektori i shërbimeve publike, por edhe dokumentet e pafirmosura.

Administrata e Bashkisë pagën e muajit gusht do ta marrë me firmën e kryetarit të zgjedhur të kryeqytetit, pasi shkresat i kanë shkuar në qelinë e paraburgimit.

Bashkia e Tiranës, që prej shkurtit të vitit 2025, qëndron pa një kryetar të zgjedhur fizikisht në detyrë, për shkak të arrestimit të Erion Veliajt me kërkesë të SPAK-ut. Por socialisti e ka ankimuar në të gjitha shkallët masën e sigurisë dhe, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta lënë në detyrë, duke rrëzuar kërkesën e Ramës për shkarkim, kryebashkiaku i Tiranës është në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë më 15 shtator për vlerësimin e masës së sigurisë./Versus.al

 

Poll