
Zbulohet identiteti i viktimës nga aksidenti i djeshëm në aksin Lurë-Rrëshen, në fshatin Kurbnesh të Mirditës, ku një i ri ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Klaudio Ndoj është 20-vjeçari i cili ndodhej në automjet si pasagjer. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Aldi Kaçorri, dhe një 15-vjeçar kanë mbetur të plagosur.
Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor. Sipas informacioneve paraprake, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por kanë pësuar disa fraktura të rënda.
Dyshohet se shpejtësia e lartë mund të ketë shkaktuar aksidentin, ndërsa në zonë janë ngritur shqetësime edhe për mungesën e barrierave mbrojtëse anësore në rrugë.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar shkaqet e plota që çuan në daljen e automjetit nga rruga./Versus.al

