
foto nga vendi i ngjarjes në 2024
Prokuroria e Lezhës ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tre personave të dyshuar për atentatin ndaj Agron Pukës, ngjarje e ndodhur dy vite më parë pranë një shkolle 9-vjeçare në Rrilë.
Në gjykatë është kërkuar pushimi i procedimit ndaj Vinçens Tukut, Kevin Ndokës dhe Amarildo Kolës, të cilët ishin shpallur në kërkim dhe nën hetim për të shtënat me armë të 6 marsit 2024.
Sipas Prokurorisë, hetimet e kryera nuk kanë siguruar prova të mjaftueshme që i lidhin tre të dyshuarit me ngjarjen. Për këtë arsye, organi i akuzës ka kërkuar pushimin e akuzave për “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar shuarjen e masës së arrestit me burg të caktuar më herët nga Gjykata e Lezhës.
Tashmë kërkesa do të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse do ta pranojë ose jo pushimin e akuzave ndaj tre personave.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 6 marsit 2024, kur Agron Puka kishte lënë fëmijët në shkollën 9-vjeçare në Rrilë dhe u qëllua me armë zjarri. Ai mbeti i plagosur, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit edhe Puka dyshohet se qëlloi me armë.
Pas ngjarjes, Puka u arrestua në spital, ku kishte shkuar për të marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra.
Ndërkohë, Amarildo Kola u arrestua disa muaj më vonë, në tetor, në një lokal në Laç. Në momentin e arrestimit, sipas policisë, ai ishte i armatosur.
Me kërkesën për pushimin e akuzave, tashmë pritet vendimi i gjykatës për tre të dyshuarit dhe vijimin ose jo të procedimit penal ndaj tyre.

