AKTUALITET /

Ia dhunuan nipin djemtë e pronarit, xhaxhai i 18-vjeçarit që u kap i armatosur pranë hotelit: Armën do ta hidhja në përrua

47-vjeçari ka deklaruar se jeton i vetëm dhe se kishte frikë që arma të merrej nga ndonjë person tjetër nëse do të hynte në banesën e tij.

Shkruar nga Versus

Ia dhunuan nipin djemtë e pronarit, xhaxhai i 18-vjeçarit që u

47-vjeçari Melison Nela, i arrestuar në Kavajë me një armë automatike “AK-47” dhe 84 fishekë në automjet, ka mohuar para policisë dhe gjykatës se kishte planifikuar të vriste Florin Habilajn, Arbër Habilajn dhe Enolt Dragotin.

Nela është ndaluar më 28 gusht, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Golf 4”. Sipas dëshmisë së tij, ai ishte nisur drejt përroit të Leshniqës me qëllim që të hidhte armën dhe tre karikatorët, pasi e kishte mbajtur në banesë që prej vitit 1997.

47-vjeçari ka deklaruar se jeton i vetëm dhe se kishte frikë që arma të merrej nga ndonjë person tjetër nëse do të hynte në banesën e tij.

I pyetur se përse nuk e kishte dorëzuar armën në polici, Nela ka thënë se nuk e njihte mirë ligjin dhe kishte frikë nga pasojat.

“Duke mos u njohur mirë ligjin, pata frikë për pasojat që mund të kisha dhe pa e menduar, u nisa për ta dërguar në përrua”, ka deklaruar ai.

Policia dyshon se arma mund të lidhej me një konflikt të ndodhur një ditë më parë, ku ishte përfshirë nipi i Nelës, Gentian Nela, me Florin Habilajn, Arbër Habilajn dhe Enolt Dragotin.

Por 47-vjeçari e ka mohuar kategorikisht se kishte qëllim të përdorte armën ndaj tyre. Sipas tij, pikërisht për shkak të konfliktit të nipit, ai kishte bërë kallëzim në polici një ditë para arrestimit.

“Absolutisht që jo. Nëse do të kisha qëllime të tilla do ta përdorja ditën e djeshme dhe jo të vija të bëja kallëzim në polici”, ka deklaruar Nela.

Pavarësisht dëshmisë së tij, gjykata ka vendosur ndaj 47-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.

Në përfundim të dëshmisë, Nela është shprehur i penduar për faktin që e kishte marrë armën nga banesa, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes./Syri.net

Poll