AKTUALITET /

Ishte shoqëruar në komisariat për vjedhje, ndërron jetë në spitalin e Vlorës 32-vjeçari. Policia jep detaje

Shkruar nga Versus

Ishte shoqëruar në komisariat për vjedhje, ndërron jetë

Një 32-vjeçar ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

I riu është identifikuar si Enea Shparthi, banues në Vlorë, i cili ishte arrestuar në flagrancë mbrëmjen e 29 gushtit, nën dyshimin për veprën penale “Vjedhja”.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 09:50, Shparthi është gjetur në gjendje të rënduar shëndetësore në dhomat e shoqërimit. Menjëherë është njoftuar ambulanca dhe 32-vjeçari është dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, në orën 10:05 është konfirmuar vdekja e tij.

Dyshimet e para janë se 32-vjeçari ka pësuar arrest kardiak, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore.

Enea Shparthi ndodhej në dhomat e paraburgimit në pritje të daljes para Gjykatës së Vlorës, ku brenda afatit ligjor prej 72 orësh do të njihej me masën e sigurimit.

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.

“Vlorë/Informacion paraprak

Sot rreth orës 09:50, në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Policisë Vlorë, është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore shtetasi i arrestuar E. Sh., 32 vjeç, banues në Vlorë.

Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe 32-vjeçari është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar se ky shtetas ka humbur jetën.

Paraprakisht dyshohet se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiak.

Shtetasi E. Sh. ishte arrestuar në flagrancë më datë 29.08.2026, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton policia.

Poll