AKTUALITET /

"Kam pranuar angazhime të rëndësishme ndërkombëtare”, Evis Sala reagon pas dorëheqjes nga posti i ministres së Shëndetësisë

Në mesazhin e saj, Sala nënvizoi se largimi nga detyra ministrore nuk do të thotë shkëputje nga angazhimi për Shqipërinë.

Shkruar nga Versus

"Kam pranuar angazhime të rëndësishme

Pas vendimit të dorëheqjes nga posti i ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala ka deklaruar përmes një video-mesazhi, se ka pranuar angazhime të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.

Përmes një postimi në platformën “X”, Sala njoftoi se mbledhja e kësaj të mërkure ishte e fundit për të si anëtare e qeverisë.

“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji, inteligjencë artificiale dhe inovacion”, shkruan ajo.

Sala shprehu mirënjohjen për kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen gjatë drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe falënderoi stafin mjekësor, profesionistët e shëndetësisë dhe punonjësit e sistemit të mirëqenies sociale.

Ajo theksoi se gjatë një viti në krye të dikasterit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, disa prej të cilëve tashmë janë të dukshëm, ndërsa të tjerë sapo kanë nisur të zbatohen.

Në mesazhin e saj, Sala nënvizoi se largimi nga detyra ministrore nuk do të thotë shkëputje nga angazhimi për Shqipërinë.

“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje të mesazhit, ish-ministrja shkruan se detyrat mund të kenë një fillim dhe një fund, por përgjegjësia dhe lidhja me vendin, sipas saj, nuk kanë kufij./Versus.al

Poll