AKTUALITET /

Kamarierin e rrahën pse kërkoi pagën, lihen në burg 2 prej dhunuesve. Në mesditë caktohet masa për xhaxhain e 18-vjeçarit

Sipas hetimeve, 18-vjeçari Genti Nela, i cili punonte si kamarier në hotel, është konfliktuar me vëllezërit Habilaj lidhur me pagesën dhe më pas është dhunuar

Shkruar nga Versus

Kamarierin e rrahën pse kërkoi pagën, lihen në burg 2 prej

Gjykata e Durrësit vendosi sot masën "arrest me burg" për 2 dhunuesit e kamarierit 18-vjeçar i cili u konfliktua për pagën me pronarin e lokalit ku punonte në Malin e Robit, Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç.

Ndërkohë, në orën 12:30 pritet të zhvillohet seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Melson Nelës.

Sipas hetimeve, 18-vjeçari Genti Nela, i cili punonte si kamarier në hotel, është konfliktuar me vëllezërit Habilaj lidhur me pagesën dhe më pas është dhunuar. I riu është dërguar në Spitalin e Kavajës për të marrë ndihmë mjekësore.

Pas dhunimit, xhaxhai i tij, Melson Nela, 47 vjeç, ka mësuar për ngjarjen dhe, sipas Policisë, është nisur drejt hotelit i armatosur me qëllim hakmarrjen.

Policia e ka ndaluar pranë hotelit dhe gjatë kontrollit të automjetit i ka gjetur një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Ai është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pas konfliktit dyshohet se është ndërhyrë në vendngjarje për të fshirë gjurmët. Sipas Policisë, ambientet ishin pastruar, ndërsa sistemi i kamerave të sigurisë ishte dëmtuar. DVR-ja ishte hequr dhe kabllot e kamerave ishin prerë./Versus.al

 

 

Poll