
Gjashtë pjesëtarë të një familjeje, mes tyre dy fëmijë, mbetën të lënduar mbrëmjen e kaluar në fshatin Markatomaj të Lezhës, pas një rrjedhjeje gazi në banesë.
Pas ngjarjes ka reaguar ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale tha se nga pamjet e siguruara rezulton se instalimi dhe mënyra e ruajtjes së bombolës së gazit nuk ishin në përputhje me kushtet teknike të sigurisë.
Sipas ministrit, kjo dyshohet se ka shkaktuar rrjedhjen e gazit brenda banesës dhe më pas incidentin që la të lënduar gjashtë anëtarët e familjes.
Karakaçi theksoi se bombolat e gazit kontrollohen nga strukturat përgjegjëse gjatë importit, transportit dhe shitjes, por nënvizoi se respektimi i rregullave të sigurisë duhet të vijojë edhe gjatë përdorimit në banesa.
Ai bëri thirrje që bombolat të instalohen vetëm sipas rregullave teknike dhe të ruhen në kushte të sigurta, veçanërisht larg fëmijëve.
“Siguria në përdorimin e gazit është përgjegjësi e të gjithëve. Ngjarja e rëndë në Lezhë na kujton se instalimi i bombolave sipas rregullave dhe ruajtja e tyre në mënyrë të sigurt, veçanërisht larg fëmijëve, janë jetike për të shmangur pasoja të rënda”, u shpreh ministri.
Karakaçi uroi gjithashtu shërim të shpejtë për të gjithë personat e lënduar./Versus.al

