AKTUALITET /

Kërkoi zëvendësimin e masës ‘arrest në burg’, GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Shtufit

Shtufi, i arrestuar në Greqi, dyshohet nga SPAK se ka luajtur rol në skemën e pastrimit të parave të lidhura me aktivitetin kriminal të grupit të drejtuar nga Luçiano Koçeku.

Shkruar nga Versus

Kërkoi zëvendësimin e masës ‘arrest në

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Ilir Shtufi për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën ndaj tij, në kuadër të hetimeve të SPAK për grup kriminal dhe pastrim parash.

Shtufi, i arrestuar në Greqi, dyshohet nga SPAK se ka luajtur rol në skemën e pastrimit të parave të lidhura me aktivitetin kriminal të grupit të drejtuar nga Luçiano Koçeku.

Sipas hetimeve, ai ka përdorur kompanitë “Nova Construction” dhe “LTD” përmes shitjeve dhe tjetërsimeve fiktive, me qëllim integrimin në ekonominë e ligjshme të të ardhurave që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Prokuroria pretendon se të dhënat financiare të dy kompanive tregojnë një rritje të ndjeshme të qarkullimit monetar në periudhën që përkon me aktivitetin e grupit të Koçekut. Në dosje janë përfshirë edhe komunikime të zbardhura nga “SKY ECC”, të cilat, sipas SPAK, tregojnë se Shtufi dhe subjektet e tij kanë vepruar sipas orientimeve të Luçiano Koçekut.

Një prej pasurive që dyshohet se është ngritur me të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm është edhe “Garden Building”, kulla në zonën e “Rrugës së Kavajës” në Tiranë.

Hetimi u shoqërua me një operacion më 12 qershor, gjatë të cilit u lëshuan 20 masa sigurie. Mes personave të përfshirë janë biznesmeni Artur Shehu, i shpallur në kërkim, si dhe Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipër të Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”.

Në kuadër të këtij hetimi janë vendosur masa sigurie edhe ndaj anëtarëve të grupit të vëllezërve Koçeku, mes tyre Luçiano alias Artur Koçeku dhe vëllai i tij Abedin Koçeku.

Sipas SPAK, fitimet e siguruara nga trafiku i drogës dyshohet se janë investuar në kompani ndërtimi, pasuri të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike, duke synuar pastrimin e origjinës së tyre kriminale./Versus.al

Poll