AKTUALITET /

Kosovë, PDK refuzon kandidatin konsensual për president: Nuk e votojmë!

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e partisë së tij nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar nga LVV dhe LDK

Shkruar nga Versus

Kosovë, PDK refuzon kandidatin konsensual për president: Nuk e

Kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Kosovës ka hasur në kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e partisë së tij nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar nga LVV dhe LDK.

Hamza tha se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se partia nuk është pjesë e marrëveshjes për kandidaturën e Sejdiut.

“Nuk ka ndryshim të qëndrimit. Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, deklaroi Hamza.

Kreu i PDK-së bëri të ditur gjithashtu se nuk ka pasur asnjë komunikim me Bekim Sejdiun. Sipas tij, nëse zgjidhet president, Sejdiu duhet të jetë një figurë unifikuese.

“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, u shpreh Hamza.

Bekim Sejdiu u propozua si kandidat i përbashkët për president nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas marrëveshjes së arritur më 31 gusht, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në Kosovë.

Megjithatë, kandidatura e tij po përballet me pengesa për sigurimin e mbështetjes së nevojshme në Kuvend. Përveç PDK-së, kundër Sejdiut është shprehur publikisht edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, një prej figurave të LDK-së.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse LVV dhe LDK do të arrijnë të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e Bekim Sejdiut në postin e presidentit./Versus.al

 

 

Poll