
Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) hyn në fuqi këtë të martë, ndërsa shoqatat e gazetarëve dhe përfaqësues të medias kanë ngritur kritika të forta lidhur me kufizimet që ajo sjell për aksesin dhe informimin publik.
Rregullorja e re kufizon hapësirat e medias brenda ambienteve të gjykatës dhe cenon transparencën e proceseve gjyqësore. Kundërshtimet janë drejtuar edhe ndaj mënyrës se si është hartuar dhe miratuar dokumenti.
Në deklaratat e tyre, përfaqësues të medias pretendojnë se rregullorja është miratuar pa konsultim paraprak me gazetarët dhe organizatat që përfaqësojnë median. Po ashtu, sipas tyre, nuk është zhvilluar konsultim i plotë as me Dhomën e Avokatisë, pavarësisht se dispozitat e reja prekin edhe aksesin e avokatëve në ambientet e gjykatës.
Kritika janë adresuar edhe ndaj kryetarit të komanduar të GJKKO-së, Erion Bani, i cili akuzohet se ka vijuar me miratimin e rregullores pavarësisht kundërshtimeve të ngritura nga komuniteti i gazetarëve dhe organizata ndërkombëtare.
Sipas kritikëve, disa prej këtyre organizatave e kanë konsideruar rregulloren si një akt që bie ndesh me lirinë e medias dhe të drejtën për informim, duke e cilësuar atë si një ndër regjimet më kufizuese për aksesin e gazetarëve në një institucion gjyqësor.
Një tjetër pikë e kundërshtuar është fakti se Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Apelit të Posaçëm u është kërkuar mendim për rregulloren pas miratimit të saj. GJKKO dhe Apeli i Posaçëm ndajnë të njëjtat ambiente, çka ka shtuar debatet mbi mënyrën e zbatimit të rregullave të reja./Versus.al


