
Vijojnë ndryshimet në strukturat e Policisë së Shtetit, me disa emërime dhe transferime të reja të firmosura nga drejtori i Përgjithshëm, Hita.
Kastriot Skënderaj është emëruar në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke zëvendësuar Fatmir Hoxhën.
Ky i fundit, nga detyra e Drejtorit të DVP Elbasan, është emëruar Specialist në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndryshime ka edhe në Policinë e Kufirit. Luigj Vathi, i cili drejtonte Policinë e Beratit, është transferuar dhe emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Korçë.
Ndërkohë, Gëzim Zhupaj është larguar nga drejtimi i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë dhe është emëruar Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH.
Një tjetër lëvizje prek kryekomisarin Dashnor Muhaj. Ai është transferuar nga posti i Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Tiranë dhe është emëruar Specialist për Migracionin e Parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në DPPSH.
Lëvizjet e fundit pritet të shoqërohen edhe me ndryshime të tjera në strukturat vendore të Policisë së Shtetit./Versus.al

