Lëvizje të reja janë shënuar sot në radhët e Policisë së Shtetit, me ndryshime në drejtimin e strukturave të Kufirit dhe Migracionit në Korçë dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë në Elbasan.
Sipas informacioneve, Luigj Vathi është emëruar drejtor i ri i Kufirit dhe Migracionit në Korçë. Vathi ka drejtuar më herët Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.
Në këtë post, ai zëvendëson Gëzim Zhupajn, i cili e ka mbajtur detyrën për rreth dy vite. Zhupaj mësohet se është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të ushtrojë detyrën e shefit të sektorit.
Ndryshime pritet të ketë edhe në Elbasan. Sipas burimeve, Kastriot Skënderaj pritet të emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, duke zëvendësuar në këtë detyrë Fatmir Hoxhën.
Burimet bëjnë me dije se lëvizje të tjera në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit pritet të ketë edhe në qarqe të tjera.
Ndryshimet vijnë pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, i cili i jep Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë mundësinë të bëjë emërime të drejtorëve dhe shefave të komisariateve pa procedurë konkurrimi, kur vlerësohet se këto lëvizje janë të nevojshme për t’i dhënë impulse të reja garantimit të rendit dhe sigurisë publike.
Kjo praktikë ishte bërë e pamundur që prej shtatorit 2024, pas ndryshimeve të atëhershme në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat parashikonin konkurrimin për pozicionet më të larta drejtuese në radhët e uniformave blu./Versus

