
Nexhmedin Danaj, pronari i kompanisë “Vlora Cable”, është arrestuar në Dubai, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK, në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Danaj dyshohet se ka pasur rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që dyshohet se burojnë nga trafiku i kokainës. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimeve, një pjesë e parave dyshohet se janë transferuar drejt Dubait përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Emri i Danajt u bë publik në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, të zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, kundër grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim të parave.
Në kuadër të këtij operacioni, “Vlora Cable”, kompani e lidhur me Danajn, si edhe biznesi “Dubai Inn”, u vendosën nën sekuestro. Sipas SPAK, hetimi i shtrirë në periudhën 2020–2025 dokumentoi 40 episode të trafikut të lëndëve narkotike, ku përfshiheshin kokaina dhe heroina.
Operacioni i përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë çoi në vendosjen e 52 masave të sigurisë, ndërsa autoritetet sekuestruan kompani, pasuri të paluajtshme, automjete dhe shuma parash që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.
Arrestimi i Danajt në Dubai pritet të pasohet nga procedurat ligjore për ekstradimin e tij dhe vënien në dispozicion të drejtësisë shqiptare.
Hetimet për këtë dosje vijojnë, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përfshirë do të përcaktohet nga gjykata me vendim përfundimtar./Versus.al

