
SPAK ka miratuar një udhëzim të ri që përcakton mënyrën se si do të identifikohen dhe hetohen rastet e dyshuara të financimit të terrorizmit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë gjurmimit të parave dhe burimit të tyre.
Udhëzimi nr. 21570, i datës 25 qershor 2026, synon unifikimin e praktikës së hetimit dhe forcimin e bashkëpunimit mes prokurorëve, BKH-së dhe strukturave të tjera që merren me hetimet financiare.
Në fokus do të jenë të ardhurat nga aktivitetet kriminale, cash-i i pajustifikuar, transfertat ndërkombëtare, kriptoasetet, organizatat jofitimprurëse dhe sistemet informale të transferimit të parave. Vëmendje e shtuar do t'u kushtohet edhe financimeve përmes platformave online dhe crowdfunding-ut.
Një pikë e rëndësishme lidhet me lidhjet e mundshme mes krimit të organizuar dhe financimit të terrorizmit. SPAK kërkon që të hetohen lëvizjet e parave mes personave apo subjekteve të përfshira në krim të organizuar dhe individëve ose grupeve që paraqesin interes për sigurinë.
Udhëzimi sqaron gjithashtu se një tregues i vetëm nuk mjafton për të provuar financimin e terrorizmit. Dyshimet duhet të vlerësohen në tërësi, duke analizuar të dhënat financiare, komunikimet, aktivitetin online dhe informacionet e tjera të disponueshme.
Për hetimin e këtyre rasteve parashikohet bashkëpunim mes SPAK, BKH-së, Policisë së Shtetit, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, SHISH-it, Doganave dhe Tatimeve, ndërsa për rastet me element ndërkombëtar do të përdoren edhe mekanizmat e bashkëpunimit me institucionet e huaja.
Në thelb, udhëzimi synon që hetimi të ndjekë gjurmën e parave, nga burimi dhe mënyra e transferimit deri te destinacioni përfundimtar, për të zbuluar në kohë financimet që mund të lidhen me veprimtari terroriste./Versus.al

