AKTUALITET /

Përplasje në sistemin e drejtësisë për pagat e magjistratëve/ KLGJ dhe KLP vendosin rritjen, Thesari bllokon rrogat e gushtit

Sipas raportimeve, paga referuese është vendosur në 222 mijë e 425 lekë, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë. Krahas kësaj, parashikohet edhe një shtesë prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Shkruar nga Versus

Përplasje në sistemin e drejtësisë për pagat e

Në sistemin e drejtësisë është krijuar një përplasje për pagat e magjistratëve.

KLGJ dhe KLP kanë përcaktuar një pagë të re referuese, e cila sjell rritje të ndjeshme të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, por pagesat e muajit gusht kanë mbetur të bllokuara në Thesar.

Sipas raportimeve, paga referuese është vendosur në 222 mijë e 425 lekë, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë. Krahas kësaj, parashikohet edhe një shtesë prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Shkak për situatën është bërë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në shkurt të këtij viti, e cila rrëzoi formulën e vitit 2023 për përcaktimin e pagave të magjistratëve.

Gjykata i la Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar një formulë të re.

Por afati përfundoi pa një zgjidhje përfundimtare. Shumica parlamentare depozitoi një propozim vetëm një ditë para skadimit të afatit, duke propozuar ndryshimin e formulës nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit. Megjithatë, formula e re nuk u miratua brenda afatit.

Në kushtet e këtij boshllëku, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën të përcaktojnë vetë pagën referuese për magjistratët. KLGJ e miratoi vendimin më 26 gusht, ndërsa KLP më 28 gusht.

Vendimet sollën një rritje prej rreth 65 mijë e 625 lekësh të pagës referuese.

Duke iu shtuar edhe 14 mijë lekët për kualifikimin, efekti financiar është edhe më i madh.

Për pozicionet më të larta në sistem, rritja reflektohet më tej për shkak të formulave dhe koeficientëve me të cilët llogariten pagat.

Por përplasja është shfaqur në momentin e ekzekutimit të tyre. Pagat e gushtit nuk janë kaluar nga Thesari, pavarësisht se janë përllogaritur sipas pagës së re referuese. Problematika, sipas raportimeve, nuk prek vetëm magjistratët, por edhe administratën e institucioneve të drejtësisë.

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kërkuar ndërhyrje për zhbllokimin e pagesave, duke ngritur shqetësimin për situatën e krijuar dhe për mënyrën se si do të zbatohet vendimi për pagat.

Ndërkohë, mbetet për t'u parë nëse formula e re e pagave do të miratohet nga Kuvendi dhe si do të zgjidhet përplasja mes vendimeve të KLGJ-së e KLP-së dhe zbatimit të tyre nga Thesari./Versus.al

Poll