Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i është drejtuar Ministrisë së Financave pas bllokimit të pagesave të magjistratëve, duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të situatës.
Në shkresën drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe kreut të KLGJ-së, Sadushi argumenton se Kuvendi kishte detyrimin të miratonte ndryshimet ligjore për pagat deri më 31 korrik 2026. Sipas tij, pas këtij afati duhet të zbatohej mënyra e re e përllogaritjes së pagave.
Për periudhën nga 1 gushti 2026, paga referuese është llogaritur mbi bazën e pagës për pozicion prej 222 mijë e 425 lekësh, së cilës i shtohet edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit. Në total, paga referuese arrin në 236 mijë e 425 lekë.
Sadushi kundërshton gjithashtu argumentin se mungesa e fondeve të planifikuara në buxhet mund të justifikojë ndalimin e pagesave.
Sipas Gjykatës së Lartë, fondet shtesë mund të sigurohen përmes mekanizmave që parashikon legjislacioni buxhetor, ndërsa detyrimi për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese vijon të jetë në fuqi.
Në përfundim, Gjykata e Lartë i kërkon Ministrisë së Financave zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të gjyqtarëve, zbatimin e pagës së re referuese nga 1 gushti dhe sigurimin e fondeve shtesë nëse nevojiten për pagesat.
Gjithashtu, kërkohet që të trajtohen edhe diferencat financiare për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026, në përputhje me vendimin e KLGJ-së./Versus.al


