AKTUALITET /

Qeveria u vonoi kompensimin e karburantit, nga 1 shtatori operatorët paralajmërojnë reduktim të urbanëve

Operatorët paralajmërojnë se reduktimi i mjeteve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët

Shkruar nga Versus

Qeveria u vonoi kompensimin e karburantit, nga 1 shtatori operatorët

Nga 1 shtatori, transporti publik pritet të funksionojë me një numër më të ulët mjetesh në qarkullim. Operatorët kanë njoftuar se do të reduktojnë flotën me rreth 20 deri në 30%, për shkak të vështirësive financiare dhe kostove të larta të operimit.

Sipas operatorëve, situata është rënduar veçanërisht nga çmimi i karburantit, i cili përbën një prej shpenzimeve kryesore të aktivitetit. Ata argumentojnë se mbajtja në qarkullim e të gjithë flotës nuk është më e përballueshme në kushtet aktuale.

“Duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%”, thuhet në kërkesën drejtuar Kryeministrisë.

Operatorët paralajmërojnë se reduktimi i mjeteve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët. Pritet që të ketë më pak frekuencë të linjave, intervale më të gjata mes autobusëve dhe mbingarkesë në mjetet që do të vijojnë të qarkullojnë.

Ata theksojnë se masa nuk vjen për shkak të mungesës së vullnetit për të ofruar shërbimin, por si pasojë e pamundësisë financiare për të përballuar operimin me flotë të plotë.

Për këtë arsye, operatorët i kërkojnë institucioneve përgjegjëse ndërhyrje urgjente dhe një përgjigje konkrete për kërkesat e tyre. Mes kërkesave është edhe realizimi i kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, si dhe vijimi i mbështetjes financiare.

Operatorët paralajmërojnë se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, shërbimi i transportit publik mund të përballet me vështirësi të mëtejshme. Ata kërkojnë rikthimin sa më shpejt të kapacitetit të plotë operacional./Versus.al

Poll