
Detaje të reja dalin në dritë për ngjarjen e ndodhur në Komisariatin e Policisë Sarandë, rreth orës 01:30 të së mërkurës ku 22-vjeçari, i paraburgosuri Devis Saliaj pasi u kthye nga tualeti ka kundërshtuar efektivët e policisë, duke goditur dhe hedhur sendet rrethanore që ndodheshin në korridor.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime pranë drejtimit të komisariatit, të arrestuarit kishin qëndruar rreth 24 orë pa ushqim.
Ata kanë kërkuar ushqim, por kërkesa e policisë për futjen e 22-vjeçarit në ambientet e izolimit ka tensionuar situatën.
Pas këtij refuzimi, ata dyshohet se u kanë marrë çelësat tre punonjësve të policisë dhe kanë dalë në korridoret e dhomave të izolimit, duke marrë nën kontroll ambientet.
Situata ka vijuar për disa orë, ndërsa për zgjidhjen e saj janë zhvilluar negociata me personat e arrestuar.
Sipas burimeve, është rënë dakord që atyre t’u sigurohej ushqim dhe vetëm pas këtij dakordësimi është bërë e mundur marrja e çelësave.
Mësohet se janë blerë rreth 170 euro pica, të cilat u janë dhënë personave të arrestuar. Pas konsumimit të ushqimit, ata kanë dorëzuar çelësat dhe policia ka mundur të rikthejë kontrollin e ambienteve.
Pas dorëzimit të çelësave, në Komisariatin e Sarandës kanë ndërhyrë forcat e FNSH-së.
Ndërkohë, një tjetër pjesë e ngjarjes po hetohet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Sipas informacioneve paraprake që po verifikohen, pas ndërhyrjes dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj disa prej personave të arrestuar.
AMP po heton rrethanat e ndërhyrjes, për të përcaktuar nëse është përdorur forcë në mënyrë të ligjshme apo nëse ka pasur keqtrajtim të personave që ndodheshin nën kontrollin e shtetit.
Pikëpyetje janë ngritur edhe mbi mënyrën e raportimit të ngjarjes. Sipas informacioneve që po verifikohen, përmasat e incidentit dyshohet se nuk i janë komunikuar menjëherë prokurores së Sarandës, Esmeranda Basho.
Në hetim është edhe dëmtimi i kamerave të sigurisë dhe mënyra se si është administruar situata nga drejtuesit e komisariatit.
Për ngjarjen, sipas të dhënave, është vendosur pezullimi nga detyra i Armando Bizhgës, Dhimitër Gugës dhe Leons Canit, me urdhër të Skënder Hitajt.
Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete, jo vetëm për veprimet e personave të arrestuar, por edhe për mënyrën se si është menaxhuar situata brenda komisariatit, kushtet e qëndrimit të të arrestuarve, marrja e çelësave, dëmtimi i kamerave dhe ndërhyrja e forcave speciale./Syri.net

