Pas riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga Siria, ka reaguar ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë bëri me dije se së fundmi janë kthyer në Shqipëri dy gra dhe tre fëmijë, të cilëve tashmë u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim.
“Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, thuhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane.
Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga kampet në Siri ka qenë pjesë e një procesi të ndjekur prej vitesh nga autoritetet shqiptare, në kuadër të përpjekjeve për kthimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
Me pesë shqiptarët e kthyer këtë herë, numri i të riatdhesuarve nga Siria arrin në 43. Për riatdhesimin e tyre, prej kohësh Antiterrori kishte nisur kontaktet me autoritetet siriane. Kthimi ishte vullnetar, ndërsa për shkak se asnjëri prej tyre nuk kishte dokumente udhëtimi, u desh ndërhyrja e Ministrisë së Jashtme për pajisjen me leje kalimi. Pas përfundimit të procedurave, pesë shqiptarët udhëtuan me avion nga Siria drejt Stambollit dhe prej andej drejt Tiranës, ku mbërritën në Rinas në orën 01:20 pas mesnate.
Në Siri dyshohet se ndodhen ende 17 shqiptarë që kanë qenë në kampet siriane, gra dhe fëmijë, kryesisht jetimë, si dhe 10 burra shqiptarë në burgje. Një pjese tjetër nuk i dihet ende fati. Ministria e Jashtme thotë se Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë procesin për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri.
Riatdhesimi i fundit ka qenë i Eva Dumanit, edhe ajo e rrëmbyer nga babai xhihadist 12 vite më parë në moshën 9-vjeçare dhe e kthyer pranë familjes së saj 21 vjeç (shkurtin e këtij viti). Riatdhesimi i saj ishte i vështirë, pasi më herët kishte refuzuar të kthehej në atdhe me vëllain e saj kur qeveria nisi operacionet për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane, në 2020-ën./Versus.al

