
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin e ri për zgjerimin e kufirit të moshës për pranimin në Policinë e Shtetit, duke krijuar mundësi më të mëdha për kandidatë me arsim dhe përvojë të ndryshme profesionale.
Sipas ndryshimeve të reja, personat që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë do të mund të aplikojnë deri në moshën 35 vjeç për funksione zbatuese, përfshirë Patrullën e Përgjithshme, përmes Kolegjit Bazë.
I njëjti kufi moshe do të zbatohet edhe për kandidatët që synojnë studimet Bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe gradën nënkomisar.
Mundësi më e gjerë u ofrohet edhe personave me arsim të lartë. Për kandidatët që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve në profile të përshtatshme, si ekonomi, financë dhe teknologji informacioni, kufiri i moshës është përcaktuar deri në 40 vjeç.
Pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisarë, ata mund të pranohen në rolin e parë drejtues.
Ndërkohë, punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë do të mund të aplikojnë pa kufizim moshe, nëse përmbushin kriteret dhe procedurat e përcaktuara për pranimin në Polici.
Ministri Lamallari e ka cilësuar ndryshimin si një vendimmarrje që synon të krijojë mundësi më të barabarta për kandidatët, duke marrë në konsideratë jo vetëm moshën, por edhe nivelin e arsimimit dhe përvojën profesionale.
Vendimi vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve që kanë shprehur interes për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit, përmes komunikimeve me ministrin në rrjetet sociale dhe drejtpërdrejt.
Ndryshimet synojnë kështu të zgjerojnë bazën e kandidatëve për Policinë e Shtetit, duke u dhënë mundësi edhe profesionistëve me përvojë që deri tani mund të përjashtoheshin për shkak të kufirit të moshës.


