
Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet pas arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi, në kuadër të dosjes për tenderat e AKSHI-t dhe dyshimeve për lidhje me zyrtarë dhe grupe të strukturuara kriminale.
Sipas gazetarit Arsen Rusta, agjentët e BKH-së kanë marrë në pyetje dy persona që kanë dijeni për aktivitetin e Agasit. Po ashtu, janë kryer kontrolle në prona që lidhen me biznesmenin në Elbasan, qytet ku dyshohet se ai është strehuar gjatë periudhës kur ishte në kërkim.
Një nga provat që po analizohet me vëmendje nga hetuesit është telefoni i sekuestruar Agasit. Përmbajtja e tij pritet të verifikohet për komunikime dhe të dhëna që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rolit të personave të tjerë në skemën e dyshuar.
Sipas SPAK-ut, në kuadër të hetimit janë evidentuar dy grupe të strukturuara kriminale. Njëri dyshohet se drejtohej nga biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ndërsa grupi tjetër dyshohet se drejtohej nga Daniel Shima.
Deri tani nuk janë bërë të ditur identitetet e personave të marrë në pyetje dhe as detaje të mëtejshme mbi kontrollet e kryera.
Ergys Agasi ndodhet në paraburgimin e Bradasheshit, nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ai përballet me disa akuza, mes tyre “grup i strukturuar kriminal”, “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “korrupsion pasiv”.
Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës. Sipas të dhënave të publikuara më herët, ai po udhëtonte me një automjet tip “Audi” në drejtim të Durrësit, kur u vu në ndjekje nga forcat e Policisë dhe SPAK-ut.

