
Nga qelia ku ndodhet prej shkurtit 2025, Erion Veliaj me rikthimin në krye të bashkisë së Tiranës, ka shkarkuar nga detyra nënkryetarin e Bashkisë, Blendi Sulaj.
Vendimi është bërë i ditur nga Bashkia e Tiranës, ndërsa arsyet e largimit të Sulajt nga detyra nuk janë bërë publike.
Blendi Sulaj, i cili më herët ka qenë pjesë e Partisë Demokratike, u përfshi në listat e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Në korrik të vitit 2025, pas largimit të disa nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, Sulaj u emërua në këtë post, duke marrë përgjegjësinë për menaxhimin e territorit dhe zhvillimin rural, të shpallura si fusha prioritare.
Shkarkimi i tij vjen një ditë pas largimit nga detyra të nënkryetares Anuela Ristani. Ajo humbi delegimin për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, në një kohë kur kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim.
Largimet e njëpasnjëshme nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës vijnë në një periudhë të zhvillimeve të forta institucionale dhe politike rreth administrimit të bashkisë.

