
Vdekja e 37-vjeçares shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, gjatë transportimit nga Pogradeci drejt Tiranës ka vënë në lëvizje policinë, e cila ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Në fokus të hetimit është mënyra se si është trajtuar pacientja në maternitetin e Pogradecit dhe nëse transportimi i saj drejt një spitali të specializuar është kryer në kohën e duhur. Për këtë arsye, hetuesit kanë administruar dokumentacionin dhe kartelën mjekësore të 37-vjeçares, ndërsa janë marrë deklarime nga personeli shëndetësor dhe familjarët.
Pretendimet kryesore janë ngritur nga familjarët e pacientes, të cilët dyshojnë se ka pasur vonesa në nisjen e saj drejt Tiranës. Motra e Marjanës, e cila ka qenë pranë saj gjatë qëndrimit në maternitet, ka kërkuar që të hetohet nëse ndërhyrja dhe transportimi mund të ishin kryer më herët.
37-vjeçarja ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë kur u paraqit për ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, gjendja e saj u përkeqësua si pasojë e një hemorragjie të brendshme, e cila dyshohet se nuk kishte lidhje me shtatzëninë.
Pas konsultave dhe ekzaminimeve në Pogradec, u vendos që pacientja të transportohej drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Por gjatë rrugës, në afërsi të Elbasanit, ajo pësoi komplikacione të rënda dhe ndërroi jetë.
Për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes pritet kryerja e autopsisë mjeko-ligjore. Ekspertiza do të jetë vendimtare për të sqaruar mekanizmin e vdekjes dhe për të vlerësuar nëse trajtimi i marrë nga 37-vjeçarja ka qenë në përputhje me protokollet mjekësore.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një komplikacion të rëndë shëndetësor me pasoja fatale apo nëse ka pasur veprime apo vonesa që mund të kenë ndikuar në përfundimin tragjik të ngjarjes./Versus.al

