AKTUALITET /

VIDEO/ Rregullorja e re e GJKKO-së, avokatët kundërshtojnë ndalimin e telefonave në gjyq. Dhoma e Avokatisë ankimon vendimin

Për këtë çështje, avokatët Maks Haxhia dhe Klodjan Skënderaj i janë drejtuar GJKKO-së me një shkresë të depozituar nga Dhoma e Avokatisë, ku kërkohet rishikimi i vendimit

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Rregullorja e re e GJKKO-së, avokatët kundërshtojnë

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shkaktuar reagime edhe nga Dhoma e Avokatisë. Shkak është bërë ndalimi i përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike brenda sallave të gjyqit, masë që prek edhe avokatët gjatë proceseve.

Për këtë çështje, avokatët Maks Haxhia dhe Klodjan Skënderaj i janë drejtuar GJKKO-së me një shkresë të depozituar nga Dhoma e Avokatisë, ku kërkohet rishikimi i vendimit.

Avokati Klodjan Skënderaj e ka cilësuar masën si “ekstreme”, duke argumentuar se telefoni është një mjet pune për avokatët, veçanërisht gjatë seancave që mund të zgjasin 7-8 orë.

“Shpresoj të kemi një reagim sa i përket kërkesës që depozituam sot. Masa për mos përdorimin e telefonave nga avokatët më duket një masë ekstreme. Nuk gjejmë arsye pse duhet të vendoset kjo masë. Telefoni është një mjet pune për ne. Ne këtu zhvillojmë seancë 7-8 orë. Edhe ne jemi njerëz. Kemi nevojë të flasim me familjarët”, tha Skënderaj.

Edhe Maks Haxhia ka kundërshtuar rregullin e ri, duke theksuar se avokatët e përdorin telefonin për komunikim me studiot e tyre gjatë seancave.

“Kjo është një rregullore që i ndalohet edhe prokurorit të përdorë telefonin. Unë kur jam në seancë, unë komunikoj me studion. S’e kuptojmë këtë logjikë. Asnjë rregullore nuk mund të kufizojë një të drejtë kushtetuese”, deklaroi Haxhia.

Ai theksoi se avokatët nuk janë kundër respektimit të rregullave dhe qetësisë në sallën e gjyqit, por kërkojnë që kufizimet të jenë të arsyeshme.

Reagimet vijnë në një kohë kur rregullorja e re e GJKKO-së ka ngjallur debat edhe për kufizimet ndaj gazetarëve gjatë ndjekjes së proceseve gjyqësore.

Tashmë Dhoma e Avokatisë pret një përgjigje nga GJKKO lidhur me kërkesën për rishikimin e masës për ndalimin e telefonave brenda sallave të gjyqit./Versus.al

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Versus.al (@versusalbania)

Poll