Pamjet e fundit të publikuara nga ambientet e Maternitetit të Pogradecit kanë rikthyer në vëmendje kushtet në të cilat ofrohet shërbimi shëndetësor për gratë shtatzëna në këtë qytet.
Godina paraqitet me ambiente të amortizuara dhe me problematika që, sipas banorëve, janë të pranishme prej vitesh. Gjendja e maternitetit ka nxitur reagime mbi nevojën për investime dhe përmirësimin e kushteve, veçanërisht për një shërbim kaq të rëndësishëm për nënat dhe foshnjat.
Këto pamje marrin një tjetër peshë pas ngjarjes tragjike të 37-vjeçares shtatzënë, e cila humbi jetën gjatë transportimit nga Pogradeci drejt Tiranës, pasi ishte paraqitur në maternitet në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Pas ngjarjes, tre mjekë të Maternitetit të Pogradecit janë proceduar penalisht, ndërsa rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me vdekjen e gruas vijojnë të jenë objekt hetimi.
Rasti ka rikthyer në qendër të vëmendjes nevojën për shërbime shëndetësore të përshtatshme në Pogradec, në mënyrë që pacientët të mos përballen me vështirësi dhe vonesa në marrjen e ndihmës së specializuar.
Përtej hetimit që do të përcaktojë përgjegjësitë për rastin tragjik, pamjet e maternitetit ngrenë pikëpyetje mbi gjendjen e infrastrukturës dhe nevojën për ndërhyrje konkrete në këtë strukturë shëndetësore./Versus.al
View this post on Instagram

