
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët pas bllokimit të pagave të muajit gusht për magjistratët dhe administratën e sistemit të drejtësisë.
Shoqatat e konsiderojnë situatën “të paprecedentë” dhe akuzojnë strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Thesarit se kanë penguar ekzekutimin e listëpagesave, ndonëse pagat janë përllogaritur dhe urdhëruar për pagesë nga institucionet përkatëse të drejtësisë.
Në qendër të debatit është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 17 shkurt 2026, lidhur me formulën e re të përllogaritjes së pagave të magjistratëve. Pas përfundimit të afatit të lënë Kuvendit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratuan pagën referuese bazë sipas formulës së përcaktuar nga Kushtetuesja.
Sipas shoqatave, KLGJ e miratoi pagën referuese me vendimin e 26 gushtit, ndërsa KLP e përcaktoi atë më 28 gusht, duke ngarkuar strukturat përgjegjëse për buxhetin me nisjen e pagesave sipas përcaktimit të ri.
Megjithatë, më 2 shtator, pjesa më e madhe e pagave nuk është ekzekutuar. Shoqatat theksojnë se vetëm në dy zyra prokurorie janë kryer pagesat sipas përllogaritjeve të reja, ndërsa pjesa tjetër e sistemit vijon të presë.
“Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, përfundimtar, i detyrueshëm dhe drejtpërdrejt i zbatueshëm, nuk mund të mbetet pa efekt praktik”, thuhet në deklaratë.
Shoqatat paralajmërojnë se vonesat mund të sjellin pasoja financiare për institucionet publike, për shkak të diferencave të papaguara, ndërsa e konsiderojnë situatën edhe si një shqetësim për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimin e shtetit të së drejtës.
Përmes deklaratës, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve i bëjnë thirrje Drejtorisë së Thesarit të zhbllokojë pagesat dhe Ministrisë së Financave të ndërhyjë menjëherë për garantimin e vijimësisë së tyre.
Reagimi përfshin edhe administratën gjyqësore dhe atë të prokurorisë, pasi sipas shoqatave, bllokimi financiar ka bërë që edhe punonjësit e këtyre strukturave të mbeten pa paga në afatet përkatëse, ndonëse nuk janë subjekte të vendimit të Kushtetueses për pagat e magjistratëve.
Në përfundim, shoqatat paralajmërojnë se, nëse situata nuk zgjidhet menjëherë, do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion dhe do të kërkojnë përgjegjësi për personat apo strukturat që kanë penguar ekzekutimin e pagesave.

