
Të akuzuarit për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko, kanë depozituar një ankesë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) ndaj trupës gjykuese të Apelit të Posaçëm.
Përmes avokatëve, Leonard Duka, Oltjon Loga, Fatmira Hyseni dhe të pandehur të tjerë pretendojnë se gjatë shqyrtimit të çështjes janë kryer shkelje procedurale, është cenuar paanshmëria e gjykimit dhe janë përdorur standarde të ndryshme për raste të ngjashme.
Mbrojtja ngre pretendime edhe ndaj gjyqtarëve Saida Dollani, Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi, duke argumentuar se ata kanë marrë më herët pjesë në procese që lidhen me të njëjtën dosje dhe janë shprehur për pozicionin procedural të disa prej të pandehurve.
Sipas avokatëve, gjyqtarët Olldashi dhe Pëllumbi kanë pranuar më herët ekzistencën e rrethanave që mund të përbënin shkak për heqjen dorë nga gjykimi. Mbrojtja i referohet gjithashtu gjyqtarit Dhimitër Lara, i cili në një proces tjetër ndaj të pandehurit Ilir Selmani kishte pranuar kërkesën për përjashtimin e tij dhe ishte tërhequr nga çështja.
Avokatët pretendojnë se, pavarësisht ngjashmërisë së rrethanave, kërkesat për përjashtim në çështjen aktuale janë rrëzuar nga gjyqtarja Daniela Shirka. Po ashtu, sipas tyre, nuk janë pranuar kërkesat për dorëheqjen e dy anëtarëve të trupit gjykues.
Mbrojtja kërkon nga ILD-ja që të verifikojë pretendimet për shkelje dhe të shqyrtojë nëse në këtë proces është zbatuar një standard i dyfishtë.
Ndërkohë, seanca e radhës në Apelin e Posaçëm është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve. Çështja lidhet me ankimin e SPAK ndaj vendimit të shkallës së parë, e cila kishte shpallur të pafajshëm Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës.
Santiago Malko u ekzekutua më 27 gusht 2019 në Tiranë. Çështja penale është trajtuar në disa procese gjyqësore, me një pjesë të të pandehurve të gjykuar në procedime të veçuara./Syri
Në janar, GJKKO dënoi me 30 vite burg Leonard Dukën dhe me nga 25 vite burg Fatmir Hysenin, Aleksandër Maxhakun, Oltjon Logën dhe Dritan Agajn. Erlis Duka u shpall i pafajshëm.
Në një proces të veçuar, Ilir Selmani u dënua me 26 vite burg, ndërsa Blendi Teta me 25 vite burg.

