
Dhjetë vatra zjarri janë evidentuar në territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive. Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes dhe i referohen situatës deri në orën 14:00 të 31 gushtit.
Sipas raportimit zyrtar, katër vatra janë nën mbikëqyrje, ndërsa një tjetër është shuar plotësisht.
Qarku i Dibrës vijon të paraqesë situatën më problematike, me vatra aktive në Vajkal, Lundre, Ballenjë dhe në zonën Bershi–Kurdari–Patinë.
Në Lundre, për shkak të erës dhe sipërfaqes së madhe pyjore të përfshirë nga flakët, në operacion janë angazhuar 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal po ndërhyjnë 20 forca të MZSH-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Ballenjë zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore brenda zonës së mbrojtur.
Ndërkohë, vijon operacioni edhe në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës. Në terren ndodhen 15 forca zjarrfikëse, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Korçë, vatra në Qafën e Lugut është vënë nën kontroll. Në Elbasan, zjarri në malin e Dardhës është shuar plotësisht, ndërsa në malin e Qukësit vijon monitorimi.
Në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe izolimin e vatrave janë angazhuar gjithsej 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Ministria e Mbrojtjes deklaron se situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, sipas të dhënave të fundit, nuk ka zona të banuara të rrezikuara nga zjarret.

