
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Lundres, ku situata paraqitet kritike për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve në terrenin malor.
Zjarri po avancon drejt zonave të banuara, duke rrezikuar banesat, stallat e bagëtive dhe sipërfaqe të mëdha me pyje. Terreni i thyer dhe tymi i dendur kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse nga toka.
Ekipet e emergjencave civile po punojnë për krijimin e një perimetri mbrojtës pranë banesave, me synim frenimin e përhapjes së flakëve dhe shmangien e rrezikut për banorët.
Raportohet se flakët kanë depërtuar deri në vargmalin e Skënderbeut. Në terren janë angazhuar edhe forcat e Policisë së Shtetit, të cilat po monitorojnë situatën dhe po marrin masa për sigurinë e banorëve.
Për shkak të vështirësive të terrenit, ndërhyrja nga toka nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Për këtë arsye, në operacion është angazhuar edhe një helikopter i emergjencave civile, i cili po ndërhyn nga ajri duke hedhur ujë mbi vatrat më të vështira për t'u arritur.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë betejën me flakët, ndërsa operacioni është përqendruar në izolimin e zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara./Versus.al
View this post on Instagram

