BOTA /

17 të vdekur dhe mbi 400 turistë të zhdukur nga përmbytjet në kufirin Nepal-Tibet

Mes të zhdukurve janë 105 shtetas indianë, 37 indianë që jetojnë jashtë Indisë, 17 malajzianë, 12 britanikë, katër shtetas të Afrikës së Jugut, tre amerikanë, një australian dhe një holandez.

Shkruar nga Versus

17 të vdekur dhe mbi 400 turistë të zhdukur nga përmbytjet

Qindra persona rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të befasishme që goditën lumin Bhote Koshi në veri të Nepalit, pranë kufirit me Tibetin.

Sipas raportimeve të BBC, të paktën 17 persona kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet vijojnë të vlerësojnë përmasat e katastrofës dhe dëmet e shkaktuara.

Situata më e rëndë raportohet në zonat Rasuwa dhe Nuwakot, ku përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, rrugë, ura, rrjetet e komunikimit dhe infrastrukturën hidroenergjetike.

Sipas Bordit të Turizmit të Nepalit, deri tani janë raportuar të zhdukur 384 persona, prej të cilëve 291 janë shtetas të huaj dhe 93 shtetas nepalezë.

Mes të zhdukurve janë 105 shtetas indianë, 37 indianë që jetojnë jashtë Indisë, 17 malajzianë, 12 britanikë, katër shtetas të Afrikës së Jugut, tre amerikanë, një australian dhe një holandez.

Për 111 persona të tjerë ende nuk është konfirmuar kombësia.

Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar vendndodhjen dhe gjendjen e personave të raportuar të zhdukur.Ministri i Jashtëm i Nepalit, Shishir Khanal, deklaroi se të dhënat paraprake sugjerojnë se një tërmet i regjistruar rreth orës 08:37 me kohën lokale mund të ketë shkaktuar një ortek.

Orteku dyshohet se ka bllokuar rrjedhën e ujit dhe më pas ka sjellë një përmbytje të menjëhershme në zonat përgjatë lumit Bhote Koshi.

Megjithatë, ministri theksoi se shkaku i saktë i katastrofës është ende duke u verifikuar nga autoritetet.

Dhjetëra efektivë rezultojnë të zhdukur
Mes personave që nuk dihet ende se ku ndodhen janë edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Raportohet se 26 punonjës policie, nëntë pjesëtarë të forcave të armatosura të policisë dhe 44 ushtarakë janë zhdukur.

Gjithashtu, në zonat e prekura rezultojnë të zhdukur punonjës të doganave dhe të emigracionit.Operacionet e kërkim-shpëtimit po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës.

Rrugët drejt zonave të prekura janë ndërprerë nga përmbytjet dhe rrëshqitjet, ndërsa erërat e forta kanë penguar edhe përdorimin e helikopterëve.

Pamjet e publikuara nga Nuwakot tregojnë ujëra të turbullta që kanë përmbytur pjesërisht banesa dhe kanë mbuluar rrugët. Automjete dhe pajisje të ndryshme janë zhytur në baltë./Versus.al

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Versus.al (@versusalbania)

Poll