BOTA /

A ndikon përçarja SHBA-Europë tek Ballkani Perëndimor?

Konsensusi perëndimor për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor po shpërbëhet, ndërkohë që SHBA-ja dhe BE-ja po ndjekin hapur politika kontradiktore në rajon.

Shkruar nga Versus

A ndikon përçarja SHBA-Europë tek Ballkani Perëndimor?

Donald Trump kundër Europës nuk ka të bëjë vetëm me Groenlandën dhe NATO-n. Ekziston edhe një garë tjetër që zhvillohet shumë më qetësisht: në Ballkan.

Rajoni u rrënua nga luftërat e ish-Jugosllavisë së viteve 1990. Në të kaluarën SHBA-ja dhe Europa bashkëpunin për rindërtimin e rajonit. Ndërsa sot ata konkurrojnë për pushtet, para dhe ndikim.

Si mund të ndikojë ky rivalitet në Ballkan? 
Ballkani Perëndimor është një term që Bashkimi Europian e përdor për gjashtë shtetet në kufijtë e tij: Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.

BE-ja thotë se të gjithë këto shtete duhet të bëhen anëtarë, pas një sërë reformash të sundimit të ligjit dhe tregut. Por ata kanë ngecur në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Dhe ka disa pengesa të mëdha, si separatizmi që "vlon” në Bosnjë dhe Hercegovinë, ose mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës.

Për vite me radhë, SHBA-ja mbështeti integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ish-ministrja e Jashtme demokrate asokohe Hillary Clinton deklaronte, se "jemi të bashkuar në qëllimet tona për t'ju parë në NATO dhe BE sa më shpejt të jetë e mundur."

Aktualisht po dëgjohet një mesazh i ri: Donald Trump Jr.: "Nuk është politikisht korrekte, por është shumë e qartë se Europa është katastrofë."

Ky ndryshim kursi ka dy anë: interesat e sigurisë dhe interesat ekonomike. Lidhur me sigurinë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi së fundmi se "Epoka e ndërtimit të kombit, e udhëhequr nga SHBA-të, ka kaluar".

Por çfarë do të thotë kjo?
Le të analizojmë Bosnjë dhe Hercegovinën, ose shkurt Bosnjën, një vend i shenjuar nga lufta brutale e viteve 1990. Është shtëpia e tre grupeve kryesore etnike: boshnjakëve, serbëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës.

Për t'i dhënë fund konflikteve të tyre, në vitin 1995 u krijua një sistem ndarjeje pushteti nën udhëheqjen e SHBA-së. Shpesh përshkruhet si sistemi politik më i ndërlikuar në botë. Tani, SHBA-ja dhe Europa kanë mosmarrëveshje për pozicionet më të fuqishme në atë sistem: Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë-Hercegovinën. Ai ka një rol unik. Është një zyrtar i huaj, zakonisht europian, me fuqi të mëdha për të ndërhyrë në politikën boshnjake. Detyra e tij është të sigurohet që vendi të mos rrëshqasë përsëri drejt konfliktit. Por ai zgjidhet nga shtete dhe organizata të tjera dhe jo nga populli i Bosnjës.

Përfaqësuesi i Lartë i fundit ishte politikani gjerman Christian Schmidt. Ai dha dorëheqjen dhe tha se SHBA-ja e shtyu ta ndërmerrte këtë vendim.

Administrata Trump dëshiron të kufizojë kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë, por BE-ja ende dëshiron një diplomat që ta thotë fjalën e fundit në Bosnjë.

Sipas Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave "qëndrimi i SHBA-së në këtë çështje është i saktë." Eksperti Prelec shpjegon më tej, se 30 vjet pas ndërprerjes së armiqësive, është shumë e vështirë të shpjegohet pse duhet të ketë një zyrtar të emëruar ndërkombëtarisht me shkallën e pushtetit që përfaqësuesit e lartë kanë ushtruar në Bosnjë-Hercegovinë. 

Zyra e përfaqësuesit të lartë është bërë prej kohësh pjesë e konkurrencës gjeopolitike në Europë.Rusia ishte kundër Përfaqësuesit të Lartë të fundit dhe po kështu ishte edhe aleati i tyre lokal Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës. Dodik kërcënoi të shkëputej nga Bosnjë-Hercegovina dhe të bashkonte territoret serbe të Bosnjës me Serbinë fqinje: "Ne nuk e fshehim se i përkasim një kombi të vetëm serb. Ju nuk do ta shkatërroni thirrjen e këtij kombi për t'u bashkuar. Ky komb meriton të ketë një shtet të bashkuar. Ne nuk mund të ndalemi në këtë rrugë. 

Amerika dhe Europa dikur bashkëpunonin kundër këtyre kërcënimeve. Dodiku madje u sanksionua nga SHBA-të dhe gjykatat boshnjake e kishin në shenjestër. Por ai i shpëtoi arrestimit, qëndroi pranë MAGA-s dhe festoi fitoren e Trump. DW

Poll