
Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka arritur një marrëveshje me 29 shtete të SHBA-së për t’i dhënë fund një procesi gjyqësor që lidhet me akuzat për dëmtimin dhe ekspozimin e fëmijëve në platformat e saj.
Sipas Reuters, kompania mund të paguajë deri në 16.68 miliardë dollarë, në një prej marrëveshjeve më të mëdha të këtij lloji në SHBA.
Autoritetet amerikane pretendojnë se Meta ka projektuar Facebook dhe Instagram në mënyrë që të nxisë përdorim të vazhdueshëm dhe varësi te fëmijët dhe adoleshentët.
Në dosjen gjyqësore përfshihen edhe pretendime se kompania ka mashtruar përdoruesit lidhur me sigurinë e platformave dhe ka mbledhur të dhëna personale të fëmijëve pa marrë pëlqimin e kërkuar nga prindërit.
29 shtetet e kanë akuzuar gjithashtu Metën për shkelje të ligjeve federale që mbrojnë privatësinë e fëmijëve në internet.Një tjetër element i rëndësishëm i padive lidhet me mënyrën se si janë përdorur të dhënat e mbledhura nga përdoruesit e mitur.
Sipas pretendimeve të përfshira në proces, këto të dhëna janë përdorur edhe për trajnimin e modeleve të mësimit automatik dhe teknologjive të inteligjencës artificiale gjenerative.
Marrëveshja është arritur ndërsa një gjykatë federale në Kaliforni po përgatitej të shqyrtonte çështjen, e cila konsiderohej një prej proceseve më të rëndësishme për përgjegjësinë e kompanive të mediave sociale ndaj përdoruesve të mitur.
Padia përfshinte pretendime të ngritura nga prokurorët e përgjithshëm të Kalifornisë, Kolorados, Kentucky-t dhe Nju Xhersit, së bashku me shtete të tjera.
Vetëm pak ditë përpara nisjes së përzgjedhjes së jurisë, më 12 gusht, një gjykatë federale apeli kishte rrëzuar kërkesën për pezullimin e gjyqit.
Me marrëveshjen e re, Meta shmang vazhdimin e procesit dhe një vendim të mundshëm gjyqësor, ndërsa çështja rikthen në qendër të debatit përgjegjësinë e kompanive teknologjike për sigurinë, privatësinë dhe mirëqenien e përdoruesve të mitur./Versus.al

