
Një histori prekëse ka tronditur Kolumbinë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4, i cili goditi vendin më 10 gusht. Avokatja e re Leni Ruiz Fernandes humbi jetën pasi përdori trupin e saj për të mbrojtur qenin e saj 12-vjeçar, Solomon.
Fernandes u gjet e pajetë nën rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti. Ekipet e shpëtimit e gjetën trupin e saj në një pozicion që, sipas raportimeve, kishte ndihmuar në mbrojtjen e qenit, i cili arriti të mbijetojë.
E reja ishte nga Pasto dhe njihej për angazhimin e saj në një organizatë lokale për mbrojtjen e kafshëve. Familjarët kanë treguar se dashuria e saj për kafshët ishte një nga tiparet më të spikatura të karakterit të saj.
Vëllai i saj tha për Agjencinë France-Presse se Leni e kishte mbajtur qenin fort në gjoks në momentin kur ndërtesa u shemb mbi ta.
Solomon, i cili vuan nga krizat epileptike dhe ka humbur shikimin, është ndër 205 kafshët shtëpiake të shpëtuara pas tërmetit. Sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve kolumbiane, tërmeti ka shkaktuar gati 300 viktima.
Familjarët kanë treguar se qeni duket sikur po përjeton humbjen e pronares së tij. Pas shpëtimit, ai u çua pranë arkivolit të Lenit gjatë ceremonisë mortore, në mënyrë që të mund ta “përshëndeste” për herë të fundit.
Historia e saj është bërë simbol i lidhjes së fortë mes njeriut dhe kafshës, ndërsa familjarët e përshkruajnë sakrificën e saj si dëshminë e fundit të dashurisë për qenin që kishte mbrojtur deri në çastet e fundit./Përshtati në shqip Versus.al

