BOTA /

'Do të më varin': Putini planifikon të dërgojë edhe 400,000 burra në frontin e Ukrainës dhe refuzon të tërhiqet

Presidenti rus beson, sipas revistës Economist, se nëse del nga lufta në Ukrainë pa arritur qëllimin minimal, pushtimin e Donbasit, kjo do ta çojë në konflikt me elitën e vendit

Shkruar nga Versus

'Do të më varin': Putini planifikon të

Presidenti rus Vladimir Putin nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet nga lufta në Ukrainë dhe, sipas një analize të “The Economist” .

Sipas burimeve pranë Kremlinit të cituara në analizë, Putin mund të synojë dërgimin e 300 mijë deri në 400 mijë ushtarëve të tjerë në front, pa qenë e nevojshme të shpallet një valë e re zyrtare mobilizimi.

Rekrutimi mund të realizohet përmes presionit të ushtruar nga autoritetet rajonale, në mënyrë që pakënaqësia sociale të mbetet e lokalizuar.

Në qendër të shqetësimeve të Perëndimit është mundësia që presidenti rus të zgjedhë përsëri rrugën e përshkallëzimit për të dalë nga ngërçi i luftës.

Sipas analizës, Putin beson se përfundimi i konfliktit pa arritur objektivin minimal të Moskës kontrollin e plotë të Donbasit  mund ta vendosë atë përballë elitës ruse dhe të rrezikojë pozitën e tij.

Madje, një burim i cituar nga “The Economist” pretendon se Putin, gjatë luftës, u ka thënë njerëzve të rrethit të tij të ngushtë: “Do të më varin”, duke iu referuar pasojave që mund të kishte një përfundim i luftës pa një fitore të konsiderueshme.

Ndërkohë, shqetësimi në vendet perëndimore është rritur edhe për shkak të përshkallëzimit të sulmeve dhe incidenteve që lidhen me luftën. Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë në thellësi të territorit rus, duke goditur rafineri nafte, qendra logjistike dhe objekte të tjera strategjike.

Putin ka paralajmëruar hakmarrje ndaj Ukrainës, duke akuzuar Kievin se ka hapur “Kutinë e Pandorës”. Në një deklaratë më 22 gusht, presidenti rus paralajmëroi se Moska do të godasë sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë ukrainase.

Në të njëjtën kohë, presidenti rus ka refuzuar publikisht çdo ide për përfundimin e luftës. Gjatë një fjalimi në partinë “Rusia e Bashkuar”, ai deklaroi se operacioni ushtarak do të vazhdojë dhe se Rusia do të “ecë vetëm përpara”.

Sipas analizës, një tjetër shqetësim për Kremlinin është rritja e pakënaqësisë brenda shoqërisë ruse. Sondazhet e Levada Center tregojnë se 57% e rusëve e konsiderojnë situatën në vend të tensionuar, ndërsa ndër shkaqet kryesore përmenden lufta, humbjet njerëzore, mobilizimi, sulmet me dronë dhe mungesa e një perspektive të qartë për të ardhmen.

Edhe brenda elitës ruse, sipas burimeve të cituara nga “The Economist”, po shtohet perceptimi se gati pesë vite luftë kanë sjellë kosto të mëdha pa një rezultat vendimtar.

Përballë kësaj situate, Moska mund të zgjedhë intensifikimin e luftës në Ukrainë, por edhe zgjerimin e aktiviteteve hibride dhe sabotazheve ndaj vendeve që mbështesin Kievin.

Shërbimet perëndimore të inteligjencës shqetësohen gjithashtu për mundësinë e sulmeve ndaj fabrikave në Evropë që prodhojnë pajisje ushtarake për Ukrainën.

Megjithatë, vlerësimi i Perëndimit mbetet se Putin nuk dëshiron një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me NATO-n. Për momentin, fokusi i tij duket se mbetet te vazhdimi i presionit mbi Ukrainën dhe arritja e objektivave territoriale që Moska i ka vendosur vetes./Versus.al

Poll