
Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar këtë të hënë një marrëveshje ushtarake me vlerë 3 miliardë euro, në kuadër të së cilës Athina do të pajiset me një sistem të avancuar dhe me disa shtresa të mbrojtjes ajrore.
Sistemi, i pagëzuar “Achilles Shield”, është pjesë e programit të gjerë të Greqisë për modernizimin e forcave të armatosura. Ministria izraelite e Mbrojtjes e ka cilësuar marrëveshjen si kontratën më të madhe të eksportit të mbrojtjes të Izraelit me Greqinë dhe një nga marrëveshjet më të mëdha të industrisë izraelite të mbrojtjes.
Paketa e mbrojtjes përfshin sistemet David’s Sling dhe SPYDER, të prodhuara nga Rafael Advanced Defense Systems, si dhe sistemin BARAK MX të Israel Aerospace Industries. Pjesë e marrëveshjes janë edhe radarët shumëfunksionalë MMR, të prodhuar nga ELTA Systems, për monitorimin dhe vëzhgimin e hapësirës ajrore.
Në veçanti, sistemi David’s Sling është përdorur nga Izraeli për interceptimin e raketave iraniane gjatë konfliktit të këtij viti. Me blerjen e tij, Greqia bëhet vendi i dytë që e merr këtë sistem, pas Finlandës.
Athina do të pajiset gjithashtu me një sistem të ri kombëtar komandimi dhe kontrolli, të zhvilluar nga Rafael, i cili do të mundësojë integrimin e kapaciteteve të ndryshme të mbrojtjes ajrore të Greqisë.
Krahas marrëveshjes kryesore, dy vendet kanë firmosur edhe një kontratë shtesë me vlerë 26 milionë euro për sistemet kundër dronëve Drone Dome. Këto sisteme do të përdoren për mbrojtjen e objekteve strategjike nga kërcënimet e mundshme me dronë.
Marrëveshja parashikon edhe zgjerimin e bashkëpunimit mes industrive të mbrojtjes të dy vendeve, përfshirë transferimin e teknologjisë dhe ekspertizës izraelite te industria greke.
Programi i Athinës për modernizimin e forcave të armatosura shtrihet deri në vitin 2036, me një investim të parashikuar prej rreth 28 miliardë eurosh. Plani përfshin gjithashtu blerjen e deri në 40 avionëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara, si dhe fregatave të reja nga Franca dhe Italia./Versus.al

