BOTA /

Historia e "Vejushës së Zezë" të Iranit: U martua me burra të moshuar, i helmoi dhe ua përvetësoi pasurinë

Kolshum Akbari, 56 vjeç, u dënua me vdekje për veprimet e saj që filluan më shumë se dy dekada më parë – Gjykata njohu 11 viktima, ajo vetë tha se mund të ketë vrarë deri në 15 burra

Shkruar nga Versus
Historia e "Vejushës së Zezë" të Iranit: U martua
Kolsum Akbari

Një nga çështjet më tronditëse të vrasjeve seriale në Iran ka marrë fund me dënimin me vdekje të Kolsum Akbarit, 56-vjeçares së njohur në mediat iraniane si “E veja e zezë”.

Ajo u shpall fajtore për vrasjen e 11 burrave të moshuar, me të cilët ishte martuar, ndërsa hetuesit dyshojnë se numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë.

Sipas dosjes së çështjes, aktiviteti kriminal i Akbarit shtrihej për më shumë se dy dekada, nga fillimi i viteve 2000 deri në arrestimin e saj në vitin 2023.

Viktimat ishin kryesisht burra të moshuar, të ve dhe shpesh pa familjarë të afërt, çka e ndihmonte të fitonte besimin e tyre.

Ajo lidhej me këta burra, shpesh përmes martesave të përkohshme, dhe më pas i helmoi duke përdorur ilaçe dhe substanca toksike.

Për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore të viktimave, vdekjet në disa raste fillimisht nuk ngritën dyshime.

Hetimi nisi të zbardhej në vitin 2023 pas vdekjes së bashkëshortit të saj të fundit, një 82-vjeçar.

Familjarët e tij dyshuan për rrethanat e vdekjes dhe iu drejtuan autoriteteve, duke çuar në hapjen e një hetimi më të gjerë.

Gjatë hetimeve, Akbari pranoi përgjegjësinë për 11 vrasje, ndërsa në një deklaratë të saj la të hapur mundësinë që numri i viktimave të ishte më i madh, duke thënë se mund të kishte vrarë 13 ose 15 persona, por nuk e kujtonte saktësisht.

Sipas akuzave, motivi kryesor ishte përfitimi financiar. Ajo synonte të përfitonte pasuritë dhe paratë e burrave me të cilët martohej, ndërsa në disa raste dyshohet se siguronte pasuri apo të ardhura para vdekjes së tyre.

Gjykata e shpalli fajtore për 11 vrasje me dashje dhe një tentativë vrasjeje, ndërsa familjet e viktimave kërkuan dënimin maksimal. Vendimi për dënimin me vdekje e mbyll një prej dosjeve më të bujshme kriminale të viteve të fundit në Iran./Përshtati në shqip Versus.al

Tags:

iran

Poll