
Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse është zbuluar në qendër të Athinës, në lagjen Kypseli, ku një foshnjë mashkull, rreth 8-9 muajsh, është gjetur i pajetë brenda një valixheje në një apartament.
Mediat greke shkruajne se, sipas ekzaminimit mjeko-ligjor, foshnja kishte të paktën 10 plagë në shpinë, të shkaktuara nga goditje me thikë. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar koha e saktë kur ka ndodhur vrasja.
Pas përfundimit të ekspertizës, policia greke pritet të procedojë për veprën penale të vrasjes personat e arrestuar në apartament. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe autorësinë e krimit.
Në apartament ndodheshin edhe tre fëmijë të mitur, një vajzë 15-vjeçare dhe dy djem, 9 dhe 12 vjeç. Ata pritet të merren në pyetje nga autoritetet në mënyrë të posaçme, në prani të psikologëve të specializuar për fëmijët.
Zëdhënësja e Policisë Greke, Konstantia Dimoglidou, ka deklaruar se deri tani asnjë nga të arrestuarit nuk ka dhënë një shpjegim për mënyrën se si foshnja përfundoi në valixhe. Familja ka pretenduar se fëmija kishte lindur në maternitet, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, 43-vjeçari i arrestuar ka dhënë një dëshmi kontradiktore. Ai ka pretenduar se foshnja qante vazhdimisht dhe se bashkëshortja e tij ishte në gjendje të rënduar emocionale. Sipas versionit të tij, fëmija ishte ndërruar në maternitet dhe familjes i ishte dhënë një tjetër foshnjë.
Hetimet janë zgjeruar edhe pas zbulimit se dy prej fëmijëve që ndodheshin në banesë, 15-vjeçarja shtatzënë dhe djali 9-vjeçar, rezultuan me infeksione seksualisht të transmetueshme. Autoritetet po hetojnë se si janë marrë këto infeksione.
Në banesë janë gjetur gjithashtu valixhe me objekte seksuale. Tre fëmijët kishin qenë edhe më herët në vëmendjen e autoriteteve, pasi gjatë vitit 2025 ishin dërguar në Spitalin e Fëmijëve pasi ishin gjetur duke lëvizur të vetëm dhe të pashoqëruar në rrugë.
Policia greke vijon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa dëshmitë e të arrestuarve dhe ekzaminimet e fëmijëve pritet të hedhin dritë mbi atë që ka ndodhur në apartament.

