
Një 25-vjeçar nga Florida, Darren Zhou, është arrestuar pasi gjatë bisedave me ChatGPT kishte shprehur plane për të përdhunuar dhe vrarë ish-të dashurën e tij dhe më pas për t’i dhënë fund edhe jetës së tij.
Sipas të dhënave të bëra publike në kuadër të çështjes, Zhou iu drejtua ChatGPT-së në muajin mars, pak kohë pas ndarjes nga 21-vjeçarja me të cilën kishte qenë në një lidhje prej rreth gjashtë muajsh.
Fillimisht bisedat kishin të bënin me ndarjen, xhelozinë dhe dëshirën për t’u rikthyer me të, por më pas përmbajtja u përshkallëzua në kërcënime ndaj ish-partneres dhe familjes së saj.
Sipas hetuesve, OpenAI i shqyrtoi bisedat dhe, pasi u identifikua një rrezik serioz, informacioni iu përcoll FBI-së. Në maj, materialet iu dorëzuan Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach. Një efektiv që analizoi mesazhet vlerësoi se ato nuk ishin thjesht shpërthime emocionale, por tregonin një model të përsëritur planifikimi.
Ish-e dashura e Zhou u tha autoriteteve se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes së tij të çrregullt, xheloze dhe kontrolluese. Pas ndarjes, ajo pretendoi se ai e kishte ndjekur përmes telefonatave, mesazheve dhe rrjeteve sociale, edhe pasi ajo i kishte kërkuar të mos e kontaktonte më.
Zhou u arrestua në maj dhe qëndroi dy ditë në burg, përpara se të lirohej kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh. Prokuroria e akuzoi për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular.
Më 13 gusht, ai u deklarua fajtor për të treja akuzat. Në kuadër të marrëveshjes me prokurorinë, Zhou shmangu burgimin dhe dënimin penal të drejtpërdrejtë, duke u dënuar me 8 vite shërbim prove. Për dy vitet e para do të mbajë monitorim elektronik dhe do t’i ndalohet përdorimi i armëve, alkoolit dhe drogës, si dhe çdo kontakt me ish-të dashurën.
Gjykatësi Scott Suskauer, gjatë shpalljes së vendimit, e paralajmëroi Zhou që të largohej nga ish-partnerja dhe të vazhdonte jetën e tij pa e shqetësuar më atë. Ndërkohë, avokati i 25-vjeçarit argumentoi se klienti i tij nuk ishte person i dhunshëm dhe se kishte kaluar një periudhë të rëndë psikologjike.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje edhe për faktin se bisedat e një përdoruesi me një chatbot u bënë pjesë e një ndërhyrjeje konkrete nga autoritetet, pasi u vlerësuan si tregues të një rreziku serioz për persona të tjerë.

