BOTA /

Irani miraton vendimin që mund të shkaktojë një luftë të re me SHBA-në.

Shkruar nga Versus

Irani miraton vendimin që mund të shkaktojë një luftë

Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme i Parlamentit iranian ka miratuar një nen të projektligjit që parashikon marrjen e tarifave nga anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA, tarifat do të lidhen me shërbimet që ofrohen në ngushticë, përfshirë shërbimet detare, mjedisore, furnizimin me karburant në raste të veçanta, sigurimin, sigurinë dhe shërbime të tjera.

Pagesat do të mblidhen nga anijet e vendeve që lejohen të kalojnë në Hormuz dhe mund të kryhen në rialin iranian ose në një monedhë tjetër të përcaktuar nga Teherani.

Komisioni iranian argumenton se projektligji respekton të drejtën e lundrimit ndërkombëtar, ndërsa njëkohësisht synon të mbrojë sigurinë dhe sovranitetin e vendeve bregdetare të Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, vendimi i komisionit nuk do të thotë se ligji ka hyrë në fuqi. Projektligji duhet të shqyrtohet dhe votohet nga seanca plenare e Parlamentit iranian, më pas të kalojë për shqyrtim në Këshillin e Gardianëve dhe, nëse miratohet, të shpallet nga presidenti.

Ngushtica e Hormuzit është një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin ndërkombëtar të energjisë, ndaj çdo ndryshim në kushtet e kalimit të anijeve në këtë zonë mund të ketë ndikim të gjerë në tregtinë dhe transportin detar./Versus.al

Poll