BOTA /

Kaos në Pentagon/ Zgjedhjet e Hegseth shkaktojnë përplasje, gjeneralët japin dorëheqjen

Largimi i Dan Driscoll, një mik i ngushtë i J.D. Vance, është kulmi i muajve të tensioneve me Sekretarin e Luftës Pete Hegseth mbi modernizimin e Ushtrisë dhe zgjedhjet e lidershipit ushtarak

Shkruar nga Versus

Kaos në Pentagon/ Zgjedhjet e Hegseth shkaktojnë përplasje,

Një situatë e tensionuar po zhvillohet në Pentagon, ku vendimet e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, kanë shkaktuar përplasje të forta brenda strukturave ushtarake amerikane.

Në qendër të debatit janë ndryshimet në nivelet e larta të ushtrisë dhe largimet e disa prej komandantëve më të rëndësishëm. Vendimet e Hegseth kanë shkaktuar shqetësim në radhët e drejtuesve ushtarakë, ndërsa disa prej tyre kanë zgjedhur të largohen nga detyra.

Një nga rastet më të fundit është ai i sekretarit të Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, i cili i shprehu drejtpërdrejt Presidentit Donald Trump shqetësimet e tij për mënyrën se si po drejtohet ushtria nën Hegseth.

Pak kohë më pas, Driscoll dha dorëheqjen, duke e thelluar përplasjen në Pentagon.

Hegseth ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në nivelet e larta të forcave të armatosura, duke larguar ose zëvendësuar oficerë të rangjeve të larta.

Ndërkohë, janë ngritur pikëpyetje edhe për ndërhyrjet e tij në procesin e promovimit të gjeneralëve dhe admiralëve.

Sipas raportimeve amerikane, disa oficerë janë hequr nga listat e promovimeve, ndërsa në raste të tjera avancimet janë bllokuar ose vonuar.

Kritikët e këtyre vendimeve pretendojnë se në disa raste kriteret nuk janë zbatuar në mënyrë të njëjtë dhe se politika mund të ketë ndikuar në karrierën e oficerëve.

Në mesin e drejtuesve të larguar më herët janë edhe figura të rëndësishme të ushtrisë amerikane. Këto ndryshime kanë ushqyer debatin mbi mënyrën e menaxhimit të Pentagonit dhe mbi ndikimin që politika e administratës Trump po ushtron mbi strukturat ushtarake.

Situata është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të numrit të lartë të largimeve.

Kritikët e Hegseth e akuzojnë atë se po përpiqet të vendosë në poste kyçe persona që janë në një linjë me vizionin e administratës Trump, ndërsa mbështetësit e tij e paraqesin këtë si pjesë të përpjekjes për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të ushtrisë.

Përplasjet e fundit kanë ngritur shqetësime për stabilitetin e drejtimit të forcave të armatosura amerikane dhe për pasojat që mund të kenë ndryshimet e njëpasnjëshme në nivelet më të larta të Pentagonit./Versus.al

Poll