
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili ka bërë thirrje për vrasjen e dhjetëra palestinezëve në Gaza çdo natë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane i cilësoi komentet e ministrit izraelit si “çnjerëzore”, duke theksuar se deklarata të tilla nuk janë të pranueshme. Berlini ka kundërshtuar gjithashtu çdo përpjekje për aneksim të mëtejshëm të territoreve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ben-Gvir deklaroi se ushtria izraelite duhet të “vrasë 30 ose 40” persona në Gaza çdo natë dhe se operacionet duhet të shkojnë përtej objektivave që konsiderohen kërcënim në një moment të caktuar.
Gjatë një podcasti me Rom Braslavskin, një ish-i burgosur izraelit i mbajtur në Gaza gjatë luftës, ministri shkoi edhe më tej, duke thënë se në Gaza ka persona që “nuk meritojnë të jetojnë” dhe duke i përshkruar ata si “jo njerëz”.
Deklaratat e Ben-Gvir janë bërë pjesë e një serie qëndrimesh të tij të ashpra gjatë luftës në Gaza. Ministri, i cili përfaqëson krahun e ekstremit të djathtë të politikës izraelite, është një nga figurat më të forta të koalicionit qeverisës të Benjamin Netanyahut.
Ben-Gvir mbikëqyr policinë dhe shërbimet e burgjeve të Izraelit dhe ka rritur ndikimin e tij politik ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve të 27 tetorit./Versus.al

